Të dashur bashkatdhetarë,
Ne, përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë,
me origjinë nga Mali i Zi, bazuar në angazhimet tona gjatë dy javëve të fundit,
japim këtë deklaratë:
1. Siç e dini, fillimisht ne u angazhuam dhe thirrëm për një marrëveshje në mënyrë që
të gjitha Partitë dhe Organizatat shqiptare në Mal të Zi të bashkohen në një listë të vetme
për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi. Duke u nisur nga suksesi dhe
rezultati pozitiv i bashkimit të Subjektet shqiptare për Komunën e Malësisë – Tuz vitin e
kaluar, ne kishim arsye të bindshme se kjo është mënyra më e mirë që si një subjekt i
bashkuar të jemi më të fortë dhe kështu të mbrojmë interesat tona për një të ardhme më
të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Por kjo nuk duhet të na
ndalojë në punën dhe angazhimet tona për një zhvillim më të mirë, që subjekti politik
shqiptar të jet i bashkuar dhe mbështetur nga votuesit tanë. Megjithëse dëshirat tona nuk
u realizuan, koalicioni i formuar në Plave dhe Guci para disa ditëve është shpresëdhënës
që të vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë për një bashkim të subjektit politik me
mbështetjen e elektoratit shqiptar.
2. Megjithëse mund të kemi pasur arsye që të pozicionohemi dhe të mbështesim njërën
ose tjetrën listë, kësaj herë ne nuk do ta bëjmë atë. Arsyeja kryesore për këtë është se ne
vazhdojmë të jemi forcë për unitet dhe jo për ndarje. Por në të ardhmen, ne do të
kërkojmë që të gjithë subjektet politike shqiptare t’i përmbahen parimëve demokratike
dhe të jenë në dispozicion për të paraqitur platformën e tyre të ideve dhe planeve për
arritjen e tyre. Për më tepër, ato plane do të duhet të përfshijnë propozime specifike për të
kyçë gjeneratën e re të liderëve parimorë të cilët do të jenë të gatshëm të na udhëheqin në
të ardhmen.
3. Për këto arsye ne bëjmë thirrje për të gjithë elektoratin shqiptar, vëllezërit dhe motrat
tanë në atdhe, të votojmë me mençuri, të votojnë me zemrën dhe të votojnë vetëm për
subjektin politik shqiptar. Siç e dimë të gjithë, subjektet politike malazeze, si DPS, kane
qenë e suksesshme në depërtimin e radhëve tona dhe përdorimin e partneritetit me
individë të ndryshëm për të avancuar agjendën e tyre. Kjo kurrësesi nuk është një
agjendë që përfshin një nesërme më të mirë për shqiptarët në Mal të Zi. Prandaj, vota
juaj për subjekte tjera politike sikurse për DPS, është votë kundër vetëvehtes, kundër te
mires sonë. Mos të humbasim këtë moment historik që së bashku, edhe pse të ndarë në
dy lista, duke votuar subjektin politik shqiptarë, mund të sigurojmë një përfaqësim më të
denjë në parlamentin malazez. Në dy-tre ditët e fundit, kemi parë dhe deklarata të
ndryshme të cilat thonë se ne po zgjedhim palë dhe me këte po dëmtojmë procesin
demokratik. Fjalët e tilla i mbane era por puna jonë dhe angazhimet tona do të flasin qartë
dhe me zë të lartë, se ne jemi një forcë për unitet, dhe jo për ndarje.
Kjo është koha jonë për t’i thënë dhe një herë udhëheqjes sonë politike se do të ketë një
çmim për të paguar nëse interesi i tyre personal vazhdon të jetë mbi interesat tona
kombëtare. Ne kërkojmë përgjegjësi për besimin që votuesit vendosin tek ju.
Të lëmë ato cka na ndanë dhe të jetë ky një fillim i ri! Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi
për zgjedhjet e ardhshme, ne premtojmë se një numër i konsiderueshëm i votuesve
nga diaspora do të jenë me ju, për të votuar me ju, që të votojnë për të ardhmen tonë,
të fitojnë dhe të gëzohemi së bashku. Ne premtojmë se do të jemi me ju dhe në të
ardhmen, gjatë kohërave të mira dhe të vështira, ashtu si jemi të gatshëm të jemi me ju
edhe në këtë kohë krize me pandeminë Covid-19. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me ju.
Ky është vetëm fillimi i angazhimit tonë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra që
premton mundësi për zhvillime ekonomike nga të cilat do të përfitojmë të gjithë.
Së bashku, te votojmë subjektin politik shqiptare, për një të ardhme më të mirë dhe
më premtuese.
VOTONI ME ZEMREN TUAJ, VOTONI SHQIP